I nderuar klient. Per produktin e blere ju mund te keni detyrime doganore, per te cilat DIGITALB nuk mban pergjegjesi. Ju lutem informohuni paraprakisht per procedurat doganore si dhe per shpenzime te tjera te mundshme ne vendin tuaj. Per nje informacion me te hollesishem mund te kontaktoni me kompanine e transportit UPS ne vendin tuaj. ( www.UPS.com)

Terma dhe kushte e Kontratës / Dhënie pëlqimi

Digitalb: Shoqëria "Digitalb" sh.a., me seli në Tiranë, me numër NIPT K41719004D, e cila kryen aktivitet kryesisht në përhapjen e sinjalit televiziv dixhital sipas licencimit të tij dhe ofron shërbime telekomunikimi me shikuesit e tij.

Kontratë: Është dokumenti i cili nënshkruhet nga palët dhe e bën marrëveshjen mes tyre të jetë e lidhur në formë të ligjshme.

Blerje Online: Do të thotë blerje e produkteve apo shërbimeve të ofruara nga Digitalb nëpërmjet faqes së internetit të Digitalb brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Faqja e internetit Digitalb: Është www.digitalb.al (në vijim referuar faqja)

Data e hyrjes në fuqi: Data e konfirmimit (pëlqimit) në formë elektronike të temave dhe kushteve të përgjithshme nga blerësi.

Palët: Digitalb dhe blerësi, cili kryen blerjen online.

Pikë e Autorizuar Shitjeje: Janë të gjitha pikat e autorizuara të Digitalb brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, tek të cilat ofrohen produktet dhe shërbimet e Digitalb kundrejt çmimeve zyrtare të këtij të fundit, ku mund të nënshkruhet një kontratë në emër të Digitalb. Për t’u njohur me hartën e pikave të autorizuara klikoni këtu.

Blerësi (Abonenti): Të gjithë personat fizikë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe disponojnë një letërnjoftim ose pasaportë, si dhe personat juridikë që disponojnë një numër Nipti, që lidhin kontratë me Digitalb, për të bërë të mundur përfitimin e shërbimit dixhital televiziv tokësor/satelitor vetëm për përdorim vetjak, pa të drejtë rishpërndarjeje, duke pranuar kushtet e kësaj kontrate. Abonimi kryhet me anë të përzgjedhjes së një pakete që përmban një paketim të caktuar të disa kanaleve TV.

Produkt: Janë programe/kanale, televizive dhe jo televizive, të ofruara nga Digitalb, ndaj çdo përdoruesi të një aparati marrës, Kartës Smart dhe abonimit përkatës.

Aparati marrës: Është pajisje elektronike që përdoret për marrjen dhe përpunimin e sinjalit tokësor, satelitor dhe të internetit, nga pika e transmetimit të Digitalb me qëllim shfaqjen e përmbajtjes së komunikimit në aparatin televiziv të përdoruesit.

Antenë: Antena televizive që përdoret për marrjen e sinjalit dixhital për shërbimet televizive, si përditësime të programeve të aparateve marrës, shërbime interaktive, etj. Antena satelitore parabolike, e cila shërben për marrjen e sinjalit satelitor, ndërsa antena tokësore për marrjen e sinjalit tokësor e optimizuar për shërbimet në bandën UHF.

Karta Smart: Kartë, që së bashku me aparatin marrës, mundëson hapjen e kanaleve televizive dixhitale në aparatin televiziv të blerësit, gjatë periudhës së abonimit. Kjo Kartë shitet së bashku me aparatin marrës në momentin e lidhjes së kontratës nga Digitalb sh.a.

Abonimi: Aktivizimi i Kartës Smart kundrejt pagesës për një periudhë të paracaktuar kohore dhe për një grup të caktuar kanalesh që Digitalb ofron. Çmimi i saj ndryshon në varësi të kanaleve dhe afatit të shërbimit që zgjedh përdoruesi, si dhe politikave të Digitalb.

Abonim tokësor/satelitor: Për të verifikuar hartën e mbulimit me sinjal, klikoni këtu. Ju duhet të njiheni detyrimisht me këtë hartë mbulimi përpara se të kryeni porosinë tuaj, për të zgjedhur produktin e përshtatshëm. Me miratimin e kësaj kontrate, ju konfirmoni shprehimisht se jeni njohur me hartën përkatëse të mbulimit me sinjal.

Instalim/montim: Shërbim instalim/montimi për aparatin marrës në banesë/njësi shitje apo të tjera, nga njësi të specializuara dhe të autorizuara nga Digitalb. Shërbimet e montimeve, instalimeve, apo edhe riparimet e defekteve të mundshme të aparatit marrës, kryhen kundrejt pagesës, në bazë të çmimeve në fuqi të vendosura nga Digitalb.

Servis: Shërbimet e servisit janë njësi pranë Digitalb sh.a. apo palë të autorizuara nga Digitalb, me qëllim kryerjen e shërbimit të riparimit të antenave satelitore dhe tokësore, aparatit marrës dixhital kur ky nuk mund të kryhet nga vetë blerësi.

Aktivizimi: Procesi teknik që mundëson blerësin/abonentin të përdorë shërbimin e përzgjedhur/blerë të ofruar nga Digitalb, pasi është pajisur me aparatin marrës dhe Kartën Smart.

Anulimi/Përfundimi i abonimit: Koha dhe gjendja kur të gjitha shërbimet në të cilat abonenti (blerësi) ka pasur akses janë anuluar/përfunduar, dhe nuk mund të përfitohen me shërbim pa riabonim.

HDD: Ose ndryshe e referuar si Hard Disk Drive, është pajisje e ofruar nga Digitalb, e cila e përdorur në kombinim me aparatin marrës dhe Kartën Smart mundëson shërbime shtesë si: PVR dhe PushVOD, TS etj.

PushVOD: Është një formë e teknologjisë VOD (video on demand, sipas kërkesës), ku abonenti ka mundësi të konsumojë materialet video që ndodhen në HDD-në e tij dhe që Digitalb i përditëson automatikisht në periudha të caktuara.

PVR: ”Personal video recording” është teknologjia që mundëson blerësin/abonentin e pajisur me aparatin marrës dhe HDD të regjistrojë pjesë të ndryshme nga kanalet dixhitale që Digitalb ofron.

TS: “Time shift“ është një formë e teknologjisë, e cila i jep mundësinë blerësit/abonentit të ndalojë/të bëjë pause programin në transmetimin linear në harkun e një ore, për ta riparë në një moment të dytë.

WiFi USB: Në rastin tonë është pajisje shtesë që mundëson lidhjen e aparatit marrës me internetin.

 

1. Objekti i kontratës

Ofrimi i produktit për blerësin, kundrejt blerjes online të aparatit marrës dixhital, Kartës Smart dhe kartës së abonimit (sipas kategorisë së parapëlqyer prej tij) dhe pajisje të tjera ndihmëse.

2. Kohëzgjatja

Kjo kontratë hyn në fuqi datën e aktivizimit të kartës dhe do të vazhdojë për të gjithë periudhën që abonenti/ blerësi do të jetë i abonuar, pra do të ketë parapaguar shërbimin, në varësi të kategorisë që ai ka zgjedhur. Në rast se blerësi blen vetëm aparatin marrës, kjo kontratë hyn në fuqi ditën e blerjes dhe vijon deri në datën e përfundimit të garancisë së produktit.

3. Tarifat dhe pagesat

Me nënshkrimin e kësaj kontrate, blerësi bie dakord të paguajë shumën e caktuar sipas përzgjedhjes që ka bërë kryesisht, për marrjen e shërbimit të programeve televizive me pagesë për periudhën e abonimit të zgjedhur dhe kushteve që ofron paketa e përzgjedhur. Në përfundim të kësaj periudhe, blerësi mund të kërkojë të rinovojë abonimin, por Digitalb rezervon të drejtën e ndryshimit të tarifave, në varësi të ndryshimeve të mundshme ligjore apo ekonomike, politikave të tij dhe ofertave sezonale.

4. Lidhja me sistemin

Çdo person fizik apo juridik, pasi ka blerë online nëpërmjet faqes zyrtare së internetit të Digitalb apo pranë pikës së shitjes përkatëse aparatin marrës dhe Kartën Smart, kthehet në përdorues të sistemit dixhital televiziv tokësor dhe satelitor fillimisht duke plotësuar dhe rënë dakord për të gjitha pikat e kësaj kontrate dhe menjëherë pasi të ketë lidhur aparatin marrës (përfshirë Kartën Smart) me aparatin televiziv dhe antenën e tij. Për të bërë të mundur përfitimin e sinjalit televiziv, përdoruesi duhet të blejë online një nga abonimet e afishuara në faqen zyrtare të Digitalb dhe/ose të blejë në çdo pikë shitje të autorizuar të këtij të fundit.

5. Njohja e kushteve nga blerësi

Blerësi është plotësisht në dijeni të termave të kushteve të kësaj kontrate tip dhe deklaron e konfirmon se e ka kuptuar e pranuar me vullnet të plotë se përdorimi i shërbimit dhe produkteve prej tij duhet bërë në përputhje me udhëzuesin e aparatit marrës që ndodhet në kutinë e aparatit. Për të tjera paqartësi mund t’i drejtohet udhëzimeve përkatëse të Digitalb që janë publike në faqen e Digitalb, dhe/ose me kërkesë të blerësit në numrat e kontaktit/postës elektronike (e-mail), për sa nuk përcaktohet në këtë kontratë.

6. Shërbime pas blerjes

6.1 Në rast se Karta Smart humbet, blerësi duhet të paraqitet në një pikë shitjeje të autorizuar së bashku me kontratën e blerjes dhe me një dokument identifikimi. Në rast se blerësi nuk e zotëron kontratën e blerjes, kompensimi i abonimit të mbetur nuk mund të kryhet. Karta Smart e humbur zëvendësohet kundrejt pagesës së barabartë me çmimin zyrtar që ka përcaktuar Digitalb, në çastin e reklamimit të humbjes së Kartës Smart nga blerësi/abonenti.

6.2 Në rast se Karta Smart dëmtohet, blerësi bie dakord se duhet të njoftojë menjëherë shërbimin e klientit të Digitalb, ose të drejtohet në pikën e autorizuar të shitjes më të afërt dhe e zëvendëson atë kundrejt pagesës sipas çmimeve në fuqi të publikuara të Digitalb në faqen e internetit ose në çdo pikë shitjeje.

6.3 Në rast se Karta Smart rezulton me defekt, blerësi do të kompensohet me një Kartë Smart të re, pa pagesë, tek e cila do të ketë dhe abonimin e mbetur.

 

7. Të drejtat dhe përgjegjësitë e Digitalb

7.1 Digitalb është i detyruar të njoftojë blerësin mbi kushtet e përgjithshme: mënyrën e dhënies së shërbimit (afati, çmimi, etj.), rregullat e aplikuara për kryerjen e pagesave online për blerjen e produkteve të Digitalb, rregullat e përdorimit të aparatit marrës, të Kartave Smart, të abonimit dhe lidhjen me aparatin televiziv, si dhe zonën e mbulimit të shërbimit në fjalë.

Ky informacion jepet në çdo pikë të autorizuar të Digitalb dhe/ose në format e kontaktit të përcaktuara në faqen e saj në internet.

7.2 Digitalb garanton se do të ofrojë për blerësin një shërbim cilësor pa ndërprerje, për sa kohë që kjo do të jetë e mundur teknikisht për të gjithë zonën e mbulimit. Shërbimet mund të ndërpriten për shkak të forcave madhore, mirëmbajtjes periodike të sistemit, përmirësimeve/përditësimeve në sistem, si dhe përmirësimeve të cilësisë së shërbimeve televizive dhe data apo shërbime të tjera të ngjashme me to, për shkak të ofrimit të një cilësie më të mirë të shërbimit. Megjithatë, në rast të ndërprerjes së sinjalit apo shërbimit, klienti do të vihet në dijeni për shkaqet e këtyre ndërprerjeve nëpërmjet njoftimeve zyrtare në kanalet e platformës dhe në faqen e Digitalb.

7.3 Digitalb detyrohet të shqyrtojë në një kohë të përshtatshme, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, çdo ankesë të blerësit, që ka të bëjë me shërbimin e ofruar apo pajisjet e shitura. Çdo ankesë e tij në lidhje me mungesën e shërbimit të dhënë që në njohuritë e tij lidhen me Digitalb, do të merret parasysh për shqyrtim nga palët, brenda periudhës në të cilën abonimi është aktiv.

7.4 Digitalb nuk mban asnjë përgjegjësi në rast të kalimit të së drejtës së përdorimit të Kartës Smart nga ana e blerësit tek të tretët, në rast se kjo nuk vetëdeklarohet nga blerësi te një pikë e autorizuar Digitalb.

7.5 Digitalb nuk mban asnjë përgjegjësi për dëmet e shkaktuara të blerësit nga përdorimi i marrësit dixhital.

7.6 Digitalb mund të ndryshojë përmbajtjen e programeve të tij gjatë kohëzgjatjes së kësaj kontrate, sipas politikave dhe programacionit që vendos Digitalb.

7.7 Digitalb njofton blerësin për shërbimin e rimbushjes së abonimit nëpërmjet e-mail ose kontaktit telefonik të deklaruar nga vetë blerësi, për procedurën dhe tarifat përkatëse.

7.8 Rimbushja e abonimit si dhe blerja e produkteve të Digitalb me anë të kryerjes së pagesës e-commerce (pagesa me karta nëpërmjet internetit), do të kryhet vetëm dhe në përputhje të plotë me kushtet dhe termat e përcaktuara në faqen zyrtare të internetit të Digitalb, në adresën www.digitalb.al.

7.9 Në momentin e nënshkrimit të kësaj kontrate, blerësi deklaron me vullnet të lirë se pranon shprehimisht se ka dijeni të plotë mbi të gjitha kushtet dhe afatet e aplikuara për kryerjen e pagesave e-commerce për blerjen e produkteve të Digitalb apo rimbushjes së abonimit.

7.10 Blerësi shprehimisht merr përsipër verifikimin e këtyre kushteve dhe afateve të përcaktuara në adresën www.digitalb.al në çdo rast të kryerjes së pagesave e-commerce për blerje produktesh të Digitalb apo rimbushje abonimi. Digitalb nuk mban përgjegjësi në rast se pagesat e-commerce nuk janë kryer nga blerësi në përputhje me kushtet e publikuara në adresën zyrtare të Digitalb, www.digitalb.al, për kryerjen e pagesave e-commerce të blerësit.

7.11 Çdo ankesë e Blerësit për shërbimet e munguara në kryerjen e pagesave e-commerce, do të shqyrtohet në përputhje me kushtet e rëna dakord ndërmjet Digitalb dhe Bankës Raiffeisen, kushte këto për të cilat Blerësi deklaron se ka marrë njohuri në plotë.

8. Të drejtat dhe përgjegjësitë e blerësit

8.1 Të përdorë aparatin marrës të markës Digitalb, Kartat Smart dhe abonimet vetëm sipas udhëzimeve të dhëna nga Digitalb dhe udhëzuesit të përdorimit, dhe të mos kryejë asnjë lloj ndërhyrjeje apo modifikimi që ndikon apo mund të ndikojë në prishjen apo marrjen e plotë të sinjalit.

8.2 Të përdorë vetëm abonimet e ofruara nga Digitalb në pikat e saj të autorizuara apo të blera online në bazë të kushteve të kësaj kontrate.

8.3 Të mos përdorë dhe të mos lejojë persona të tretë të përdorin shërbimin e ofruar në ambiente publike (vende që synojnë mbledhjen e publikut) duke përfshirë këtu edhe klube, restorante, qendra të lotarive sportive, hotele, etj. si këto, përveçse në rast të një autorizimi apo kontrate të posaçme të dhënë nga Digitalb. Në rast të kundërt, Digitalb do të ndërpresë në mënyrë të menjëhershme shërbimin.

8.4 Të mos kryejë asnjë lloj veprimi kopjimi dhe shitje pirate të Kartave Smart si dhe të mos kryejë tjetërsimin e aparatit marrës.

8.5 Të ruajë dhe të mirëmbajë dekoderin brenda shtëpisë së tij dhe të mos kryejë asnjë remont apo ndërhyrje tjetër në aparat.

8.6. Të përdorë antena të parametrave standard dhe të rekomanduara nga Digitalb. Digitalb nuk mban përgjegjësi për sinjalin, në rast se antena nuk është vendosur në vendet dhe me drejtimin e përcaktuar si më sipër, apo kur pas instalimit, pëson ndryshime të pozicionit.

8.7 Blerësi pranon ta marrë shërbimin dixhital nga Digitalb, në mënyrën e ofruar prej këtij të fundit në faqen e tij zyrtare.

8.8 Blerësi pranon kushtet e shërbimit të rimbushjes së abonimit nëpërmjet blerjes online dhe njoftimit të tij me anë të e-mail apo SMS-ve, procedurën dhe tarifat përkatëse dhe zgjedh vetë nëse i përdor ose jo këto të fundit.

8.9 Blerësi merr përsipër të mbrojë personat nën 18 vjeç që përdorin abonimin e tij, nga përdorimi i programeve që ofron Digitalb dhe të mos lejojë që personat nën moshën 18 vjeç të kenë akses në programet e koduara të Digitalb.

8.10 Blerësi bie dakord që Digitalb mund të kryejë sondazhe në lidhje me llojet e programeve për të cilat blerësi është i interesuar me qëllim përmirësimin e programeve të Digitalb dhe plotësimin e kërkesave dhe nevojave të abonentëve.

8.11 Blerësi përfiton të gjitha të drejtat dhe detyrimet sipas kësaj kontrate, në rast se ai ka blerë një Kartë Smart me abonim aktiv. Blerësi mund të blejë jo më shumë se 3 (tre) produkte të të njëjtit lloj brenda një dite.

9. Forca madhore

Digitalb nuk mban asnjë përgjegjësi në rast se mospërmbushja e veprimeve të tij ka ardhur si pasojë e një force madhore. Konsiderohen forcë madhore: lufta (e shpallur ose jo), trazirat, sabotimi, fatkeqësitë natyrore, tërmetet, shpërthimet, zjarri, embargot tregtare, grevat, aktet e autoriteteve shqiptare apo të huaja me fuqi ekzekutive, shkeljet e ligjeve nga ana e autoriteteve shtetërore apo personave të tjerë që ushtrojnë aktivitet në fushën televizive. Digitalb do të bëjë të gjitha përpjekjet e mundshme, edhe në raste të forcës madhore, që t'u sigurojë shërbim përdoruesve sipas kësaj kontrate.

10. Ndryshimi i kontratës

Me nënshkrimin e kësaj kontrate, blerësi bie dakord dhe pranon shprehimisht se Digitalb rezervon të drejtën e ndryshimit të një mënyre të njëanshme të dispozitave të kësaj kontrate në zbatim dhe/ose në përputhje me ndryshime të mundshme në legjislacionin në fuqi apo për shkak të ndryshimit të rrethanave ekonomike. Në çdo rast, këto ndryshime nuk do të prekin kushtet thelbësore të kësaj kontrate. Në raste të tilla, Digitalb duhet të bëjë njoftim paraprak në faqen e tij para kryerjes së këtyre ndryshimeve. Çdo ndryshim i kësaj kontrate do të jetë i vlefshëm vetëm me miratimin e Digitalb.

 

11. Konfidencialiteti dhe mbrojtja e të dhënave personale

Asnjë informacion nuk do t’i bëhet publik palëve të treta nga palët, pa miratimin me shkrim të palës tjetër, përveç rastit kur ligji parashikon ndryshe. Digitalb deklaron dhe garanton se do të mbledhë, mbajë, përpunojë apo mbajë në ndonjë mënyrë tjetër çdo të dhënë personale lidhur me abonentët në përputhje të plotë me Ligjin nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale në Republikën e Shqipërisë”, legjislacionin e zbatueshëm dhe rregulloret përkatëse si dhe kushtet e kësaj marrëveshjeje. Në përputhje me nenin 18 të Ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale në Republikën e Shqipërisë”, Digitalb njofton blerësin se mbledh e përpunon të dhënat personale të këtij të fundit, që jepen gjatë lidhjes së kësaj kontrate në hyrje të saj, për qëllime të identifikimit, statistikës, apo të komunikimeve të mëvonshme me blerësin, qoftë me postë, qoftë në formë elektronike, gjatë kohëzgjatjes së kësaj kontrate.

Me nënshkrimin e kësaj kontrate, blerësi jep miratimin e shprehur për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave personale të tij nga Digitalb, të specifikuara në këtë kontratë.

Të gjitha të dhënat e kartës së kreditit/debitit apo të dhëna të tjera financiare nuk kanë asnjë lidhje me Digitalb apo faqen e tij. Këto të dhëna janë të aksesueshme vetëm nga faqja www.raiffeisen.al. Digitalb nuk mban asnjë përgjegjësi për të dhënat financiare pasi nuk ka asnjë akses në to.

Në lidhje me të dhënat dhe numrin e telefonit të blerësit, ato kalojnë nga Digitalb te Korrieri, dhe Digitalb nuk mban asnjë përgjegjësi për përdorimin e tyre. Me konfirmimin e blerjes, blerësi miraton se këto të dhëna do i kalojnë korrierit për të bërë të mundur transportin dhe dorëzimin e porosisë së tij.  

Me nënshkrimin e kësaj kontrate, blerësi jep miratimin e shprehur për transferimin e të dhënave personale të tij nga Digitalb te shërbimi postar/Korrieri, me qëllim përmbushjen e detyrimeve kontraktuale.

Klikoni këtu për të parë kushtet.

 

 

12. Ligji i aplikueshëm

Kjo kontratë i nënshtrohet legjislacionit në fuqi të Republikës së Shqipërisë. Palët bien dakord që çdo mosmarrëveshje që lind në lidhje me vlefshmërinë, interpretimin apo zbatimin e marrëveshjes, të zgjidhet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Për sa nuk parashikohet në këto terma, zbatohet legjislacioni shqiptar në fuqi.

 

13. Të ndryshme

Të gjitha pajisjet që janë manipuluar apo të cilave nuk mund t’u identifikohet numri serial i prodhimit, janë të përjashtuara nga të drejtat dhe përfitimet e periudhës së garancisë. Garancia e produktit u ofrohet vetëm blerësve të parë, pra ku është kryer instalimi origjinal i aparatit marrës. Digitalb nuk mban përgjegjësi në rastin kur abonimi i kërkuar është autorizuar mbi një Kartë Smart, e cila po përdoret në një marrës dixhital të palicencuar nga vetë shoqëria Digitalb. Karta Smart është e vlefshme për një periudhë 4 vjeçare që nga çasti i aktivizimit. Karta Smart në çdo rast është në pronësi të Digitalb. Digitalb ka të drejtë t’i kërkojë blerësit kthimin e Kartës Smart në çdo çast, duke e kompensuar me një kartë të re. Ankimimet në lidhje me abonimin do të pranohen brenda një afati kohor prej 48 orësh.

Për të gjitha informacionet e tjera në lidhje me kthimet dhe zëvendësimet mund të klikoni këtu, garancinë mund të klikoni këtu, transportin mund të klikoni këtu. Përpara se të konfirmoni këtë kontratë, ju duhet të njiheni dhe të pranoni këto të dhëna. Duke klikuar pranoj, ju deklaroni dhe pranoni shprehimisht se keni marrë dhe keni kuptuar të gjithë informacionin e nevojshëm lidhur me  garancinë, zëvendësimet, transportin, etj.

14. Deklarim i Blerësit/Abonentit

Deklaroj nën përgjegjësinë time të plotë se kam mbushur moshën 18 vjeç, dhe se i kam kuptuar tërësisht dhe bie dakord plotësisht me të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë e sipërpërmendura të kësaj marrëveshje. Deklaroj, gjithashtu, në vlefshmërinë e të dhënave të plotësuara nga unë vetë në këtë kontratë si në pjesën “Informacione mbi Klientin” edhe tek “Të dhëna për t’u plotësuar nga blerësi”.

DHËNIE PËLQIMI

“Për mbledhje e përpunim të dhënash personale”

Unë, Blerësi, deklaroj se kam marrë dhe jam në dijeni te të gjithë informacionit të nevojshëm ligjor mbi legjislacionin për të dhënat personale, si dhe për të drejtat e mia që burojnë dhe janë sanksionuar në Ligjin Nr. 9887, datë 10.03.2008 "Për mbrojtjen e të Dhënave Personale"(në vijim "Ligji Për të Dhënat Personale", i ndryshuar, si dhe Udhëzimin Nr. 16, datë 26.12.2011 të Komisionerit për të Dhënat Personale "Për mbrojtjen e të dhënave personale në tregtimin e drejtpërdrejtë dhe masat e sigurisë" dhe në aktet nënligjore të dala në zbatim të tij, bazuar në nenin 6.1 të Ligjit "Për mbrojtjen e të Dhënave Personale", (për më shumë informacion klikoni linkun) e me vullnet të plotë e të lirë e duke qenë në dijeni të plotë për arsyen pse të dhënat do të mblidhen, ruhen e përpunohen, me anë të këtij dokumenti jap miratimin/pranimin tim të lirë e të shprehur për të lejuar DigitAlb sh.a. me seli Tiranë, Shqipëri (në vijim "DigitAlb") për mbledhjen, ruajtjen, përpunimin e të dhënave të mia personale të mëposhtme:

1. Emër Mbiemër; 2. Adresën e saktë të banimit; Kodin Postar;
3. Numër telefoni;

me qëllim ekskluziv të përmbushjes së kërkesave që rrjedhin nga Kontrata për Blerjen Online të Produkteve dhe Shërbimeve të Digit-Alb ku unë jam palë kontraktuese.

Në vijim, unë marr përsipër të informoj DigitAlb sh.a në adresën e postës elektronike onlineunit@digitalb.tv për çdo ndryshim të të dhënave të mia personale të mësipërme apo për çdo pasaktësi që vërej në të dhënat e mia personale tek të dhënat e DigitAlb sh.a. për përmbushjen e kontratës, brenda 30 ditësh nga data kur kanë ndodhur ndryshimet.

Unë pranoj e bie dakord që afati për ruajtjen e të dhënave të mia do të jetë ai i përcaktuar në legjislacionin në fuqi në territorin e Repulikës së Shqipërisë: për Proçedurat Tatimore, për Kontabilietin dhe për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pra përgjatë gjithë periudhës së vlefshmërisë dhe 2 vjet pas përfundimit të Kontratës për blerjen online të produkteve dhe shërbimeve të DigitAlb ku unë jam palë kontraktuese.

Digitalb sh.a. është i detyruar të shkatërrojë ose të bëjë anonime të dhënat e mia personale pas përfundimit të kësaj periudhe, përveç kur parashikohet ndryshe në bazë të një dispozite ose të një akti tjetër të veçantë.

Ju lutem lexoni Termat dhe Kushtet e mёsiperme dhe tё "Drejtat pёr pёrdorim tё dhёnash personale". Pasi tё bini dakort me kushtet mund tё kryeni blerje.

Informacione mbi Transportin

Përmbledhja e Blerjes

Përfundo Blerjen

Shporta

ProduktiCmimiSasiaTotal  
HDD Opentech 1 TB 9.900 Lekë [€ 72,8] 9.900Lekë [€ 72,8] Konfirmo Anullo

Totali : 9.900 Lekë [€72,8]

Totali Pa TVSH : 8.250 Lekë [€60,7]



Check Out

Vazhdo / Ndrysho Blerjen